Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi nën akuzë për aferën Partizani kanë shkelur arrestin e shtëpisë dhe kanë takuar një grup gazetarësh të emisionit investigativ Report në Rai Tre për të dhënë një intervistë.

Me zë dhe figurë, Sali Berisha shfaqet në një ambient të përbashkët me dhëndrin e tij dhe grupin e gazetarëve duke shkelur hapur masën e sigurisë që i ndalon atij dhe Malltezit çdo lloj komunikimi me persona të tjerë përveç atyre me të cilët bashkëjetojnë.

Që në fillim të intervistës gazetari shprehet se është një situatë paksa e çuditshme duke qenë se ish-kryeministri ndodhet në arrest dhe i akuzuar për korrupsion, por Berisha i thotë se është në hetim politik.

Si Berisha dhe Malltezi këtë herë kanë kaluar vijën e kuqe, ndonëse deri më tani drejtësia e ka bërë një “sy qorr dhe një vesh shurdh”, për daljet çdo natë të ish kryeministrit në dritaren e ballkonit të shtëpisë duke mbajtur fjalime para militantëve.

Pra, ndonëse më parë ka komunikuar nga dritarja, këtë herë shkelja është edhe më e rëndë pasi ka takuar njerëz përveç bashkëjetuesve, por edhe e ka treguar me figurë përmes pamjeve që shfaqen në televizion italian duke sfiduar drejtësinë në pikën e fundit.

Ish-Kryeministri Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej fundit të dhjetorit të kaluar, pasi më parë kishte refuzuar vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje.  Berisha akuzohet për korrupsion pasiv pasi ndihmoi dhëndrin e tij për privatizimin e kompleksit Partizani. Malltezi nga ana tjetër është në arrest që prej 24 tetorit dhe përveçse për korrupsion pasiv akuzohet edhe për pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

B.K/Shqiptarja.com