Disa pamje të reja të smartphone-it 5G më të lirë nga Samsung, Galaxy A22 5G, janë publikuar në rrugë jo zyrtare. Për momentin Galaxy A32 5G është smartphone-i që mban këtë titull me një çmim aktual prej $279.

Imazhet e publikuara vijnë nga 91mobiles dhe tregojnë për praninë e dy versioneve, 5G dhe 4G, me disa specifika të ndryshme. Versioni 5G do të ketë një ekran 6.4 inç LCD dhe 3 kamera në pjesën e pasme, një kryesore 48MP, një makro dhe një depth sensor. Falë një leak-u të mëparshëm në Geekbench mësuam se proçesori i përdorur në këtë seri do të jetë MediaTek Dimensity 700, dhe do të ketë 6GB RAM.

Versioni 4G do të përfshijë një sensor shtesë në pjesën e pasme dhe ekran OLED në vend të LCD. Të dyja variantet besohet se do të kenë bateri të mëdha 5,000mAh. Me shumë mundësi këto pajisje do të prezantohen në tregun indian dhe aziatik dhe çmimi i tyre do të fillojë nga $180.

Smartphone të tjerë që ofrojnë mbështetje për 5G dhe kushtojnë $200 – $300 janë Realme 8 5G dhe OnePlus Nord N10 5G, mirëpo avantazhi i A22 5G do të jetë çmimi më i lirë.