Ndryshe nga ç’ishte parashikuar, Samsung nuk prezantoi Galaxy Watch 4 në eventin MWC 2021 dhe u mjaftua vetëm me prezantimin e software-it të ri One UI Watch. Megjithatë, tashmë është e qartë se ky smartwatch do të prezantohet në fundin e verës gjatë eventit Unpacked.

Raportimet e tanishme sugjerojnë se janë 2 variantet e smartwatch që do të prodhohen nga kompania, të cilat do të jenë të parat që do të përdorin software-in e ri One UI Watch dhe platformën e re të unifikuar mes Samsung dhe Google të platformave Tizen dhe Wear OS.

Kompania nuk ka ende një datë zyrtare për eventin Unpacked, mirëpo besohet se me shumë mundësi ai do të organizohet gjatë javës së parë të muajit gusht. Gjatë këtij eventi Samsung pritet të prezantojë dhe kufjet e reja wireless Galaxy Buds 2, bashkë me smartphone-t e palosshëm Galaxy Z Fold 3 dhe Z Flip 3.

Për fat të keq, ajo që do të mungojë në këtë event është prezantimi i serisë së re të Galaxy Note, e cila u konfirmua dhe më parë nga vetë kompania.

geek room