Veliera e aluminit më e madhe në botë “Sea Eagle II” u ndal mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se veliera, një nga mjetet lundruese më unike në llojin e vet, është prodhim i vitit 2020 nga prestigjiozi i ndërtimit të superjahteve “Royal Huisman”.

“Sea Eagle II” karakterizohet nga një superstrukturë alumini prej 81 m të gjatë, zhytje maksimale deri në 6 m dhe një tonazh prej 1104 tonësh, çka e rendit atë si velierën me konstruksion alumini më të madhe në botë.

“Sea Eagle II” e cila lundron nën flamurin e ishujve Kajman ka mbërritur pas një lundrimi 3-ditor nga ishulli i Itakës (Greqi) dhe do të vijojë itinerarin në eksplorim të brigjeve të Adriatikut.