Vijon seanca maratonë në Gjykatën Kushtetuese, ku në rend dite është shkarkimi i presidentit Ilir Meta, pas vendimit të Kuvendit në muajin Korrik.

Në këtë seancë, si përfaqësues i mazhorancës në Kuvend është dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Deputeti socialist u shpreh gjatë seancës, se presidenti ka shkelur funksionin e tij kryesor, që është ai i unitetit. Po ashtu Balla tha se presidenti është përfshirë në fushatë, duke sulmuar dhe institucionet.

“Ne vende demokratike Presidenti ka një funksion unitar, gjë e cila është shkelur hapur nga presidenti ynë, duke marrë pjesë në fushatë dhe duke sulmuar institucionet kushtetuese. Presidenti ka nxitur dhunë, vënia në lëvizje e shkarkimit të presidentit në vetvete nuk është një procedurë në shkelje të ligjit.

Kuvendi synon të dënojë personin që abuzoi me pozicionin e presidentit dhe jo postin në vetvete. Kushtetuta parashikon që presidenti të përfaqësoj unitetin e vendit. Praktika e shkarkimit është një  mekanizëm për të ndëshkuar presidentin në rast se ka shkelje që parashikohet në ligj. Rezulton se në të gjitha daljen e tij presidenti ka mbajtur qëndrim politik”, tha Balla.

Gjatë ditës së sotme, Kushtetuesja pritet që të marrë vendim për shkarkimin e Metës, pas një seance maratonë, ku do të dëgjojë të gjitha palët e interesuara.