Janë vënë në pranga administratori i një subjekti dhe 2 shoferë kamionësh, pasi u konstatuan duke transportuar materiale inerte për të cilat nuk dispononin asnjë faturë shoqëruese.
Njoftimi i Policisë: Lezhë/Intensifikohen kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me fokus parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Sekuestrohen 2 trajler të një subjekti duke transportuar materiale inerte për të cilat nuk dispononin asnjë faturë shoqëruese.
Vihen në pranga administratori i subjektit dhe dy shoferët e kamionëve.
Në momentin e konstatimit nga shërbimet policore, të arrestuarit kanë tentuar të bëjnë manipulime lidhur me faturën tatimore duke paraqitur të dhëna të rreme.
Specialistët për hetimin e krimeve ekonomike financiare, në kuadër të punës hetimore për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe krimeve që cënojnë regjimin juridik të tokës, si dhe bazuar në informacionet policore të administruara nga inteligjenca informative për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale në qarkun e Lezhës, kanë vijuar kontrollet intensive.
Si rezultat, në aksin rrugor Skuraj-Milot, në vendin e quajtur Milot, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B. 26 vjeç, banues në Laç (me detyrë administrator i një subjekti për shfrytëzimin e inerteve në lumenj), A. Sh. 40 vjeç dhe A. K. 55 vjeç, banuesë në Tiranë (shoferë të firmës).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 trajlera të mbushur me materiale inerte me qëllim transportimin e tyre, për të cilat nuk dispononin asnjë dokument shoqërues. Gjithashtu, në momentin e konstatimit të tyre nga shërbimet policore, të arrestuarit kanë tentuar të manipulojnë faturën tatimore duke paraqitur të dhëna të rreme që nuk korrispondonin me sasinë, subjektin blerës e shitës të mallit.
Vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.j