Senati amerikan nuk arriti të shtunën ta dënojë politikisht ish-presidentin, Donald Tramp.

7 senatorë republikanë bashkuan votat me 50 demokratët por pa mundur të sigurojnë dy të tretën e numrave.

Republikani Trump akuzohej si shkaktari i revoltës së 6 janarit, kur simpatizantët e tij hynë në Kongres për të kundërshtuar zgjedhjen e presidentit demokrat, Joe Biden.

Dhuna e asaj dite prodhoi 5 viktima dhe u dënua edhe në fundjavë nga të dy krerët e grupeve në Senat.

Pavarësisht rezultatit të gjyqit politik, Donald Trump meriton të dënohet dhe besoj se do të dënohet në gjyqin e opinionit publik. Meriton të diskreditohet përgjithmonë dhe besoj se ai i tillë është tani në sytë e popullit amerikan dhe të historisë,” tha  kreu i senatit, Chuck Schumer.

“Presidenti në largim orkestroi një valë teorish konspirative dhe dukej i vendosur ose ta përmbyste vullnetin e zgjedhësve, ose t’i vinte zjarrin institucioneve tona. Ai është ende përgjegjës për ato që ka bërë, ende nuk ka shpëtuar,” u shpreh Mitch McConnell.

Ish-presidenti Trump reagoi të shtunën duke thënë se ishte viktimë e një gjuetie shtrigash, më e madhja në histori.

Kjo është hera e dytë që 74-vjeçari i nënshtrohet procedimit politik në pozicionin e krye-shtetarit, post që ai mund ta pretendojë sërish pas katër vitesh.

Qytetarët ndajnë mendime të ndryshme për faljen e tij.

“Më vjen mirë që u shpall i pafajshëm. Mendoj se kjo ishte e drejtë, se nuk ishte ai fajtor për atë çka ndodhi, dhe pres që të rikthehet sërish,”  tha Marco Connell, banor i Florida.

“Të jem e sinqertë, nuk më trondit vendimi. Ishte pritshmëria e shumë njerëzve që nuk do të dënohej, sepse kështu republikanët do të humbisnin shumë nga baza e tyre politike,” tha Kiri, banore e New York-ut.

Presidenti Biden tha se të shtunën se megjithëse kundërshtari i fitoi pafajësinë, akuzat kundër paraardhësit Trump ende qëndrojnë në thelbin e tyre