Largimi i policëve serbë të Veriut nga Policia e Kosovës dhe mbajtja e armëve mund të jetë shkas që të eskalojë situata në Veri, prandaj sipas ish-komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastratit, kryeministri Albin Kurti, është dashur ta “dëgjojë Amerikën”, që vendimin për targat ta shtyjë.


“Kam frikë që mund të eskalojë situata, sepse mendoj që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dashur ta dëgjojë Amerikën që ta shtyjë vendimin për targat. Kam frikë që me shkuarjen e policisë do të ketë incidente”, thotë Kastrati për Albanian Post.

Madje sipas tij, këso situata nuk ka pasur asnjëherë pasluftës.


Ai kërkon nga institucionet e sigurisë të jenë më vigjilente, “ta shmangin më të keqen”. “Askush nuk është i vetëdijshëm se çka mund të ndodh”.

Por, si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.about:blank

Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.