Në Mitrovicën e Veriut, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, është thirrur një protestë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kjo protestë është thirrur për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe KM (Mitrovicë e Kosovës) në targat RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar “unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre”.

Një ditë më parë, më 5 nëntor, në komunat veriore, ftesat për protesta janë vendosur në hapësira të ndryshme publike.

Në këto ftesa, qytetarëve u është bërë thirrje që të vendosin flamurin e Serbisë në pronat e tyre private, pasi flamujt të tillë veçse janë vendosur në hapësira publike.

Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Megjithatë, ekipet e Radios Evropa e Lirë në terren nuk kanë parë zyrtarë policorë me uniforma të policisë.

Kjo protestë vjen një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se vendimi për largim nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi derisa “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.

Lista Serbe, po ashtu, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa që lëshojnë autoritetet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje./REL/