Serbia ka blerë ditët e fundit një sistemi kundërajror të sofistikuar kinez. Kjo dërgesë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa rekomandojnë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të armatoset me armë moderne.

Deputeti i PDK Rashit Qalaj, ka thënë se ka një kohë të gjatë që Serbia është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit dhe kjo është sinjal i keq për rajonin. Ndaj, sipas tij Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë të pajiset me armatim modern.

“Ka një kohë të gjatë që Serbia po furnizohet me lloje të ndryshme të armatimit. Fillimisht është furnizuar me armatim nga shteti rus. Shpesh herë duke marrë falas këto pjesë të armatimit por edhe duke i blerë. Realisht kemi parë një dërgesë që ka ardhur gjysmë sekret nga Kina me sistem të mbrojtjes kundër ajrore. Mirëpo Serbia ka paralajmëruar edhe blerjen e aeroplanëve të ndryshëm edhe nga disa shtete Franca dhe Britania”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha theksoi se Kosova nuk ka nevojë të frikësohet, por të armatoset edhe pse thotë se funksionojnë të gjitha institucionet e sigurisë në vend.

“Ka kohë që Serbia fuqizohet ushtarakisht. Kjo është pjesë e një plani të mëhershëm e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por duhet të armatosemi dhe nuk ka rrezik rajoni nga Serbia, por Kosova sepse dihet qysh e kemi pasur historinë”.