Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë “do të shkaktonte vuajtje të mëdha për njerëzit” dhe “do të zvogëlonte pozitën e Rusisë” në botë.
Shtëpia e Bardhë bëri këtë njoftim pas bisedës telefonike që zhvilluan dy presidentët të shtunën.
Biden përsëriti se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të “përgjigjeshin me vendosmëri” nëse Rusia pushton.
Ai tha se reagimi i aleatëve do të kishte “kosto të shpejta dhë të rënda për Rusinë”.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar në diplomaci, por ne jemi po aq të përgatitur për skenarë të tjerë”, paralajmëroi Biden.
Telefonata, e cila zgjati rreth një orë, nuk shkaktoi ndonjë ndryshim thelbësor në tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, që foli me gazetarët.
Mbetet e paqartë nëse Rusia është e gatshme të ndjekë rrugën diplomatike, tha ai, duke shtuar se Rusia mund të vazhdojë me veprime ushtarake.
Rusia, tash e sa muaj, ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në kufi me Ukrainën, por ka mohuar se ka plane për pushtim.
Sipas Rusisë, NATO-ja është ajo që paraqet kërcënim për sigurinë e saj.
Shteti rus ka kërkuar garanci nga NATO-ja se do të ndalojë zgjerimin drejt lindjes dhe se nuk do të pranojë në radhët e saj vendet ish-sovjetike, përfshirë Ukrainën.
SHBA-ja dhe NATO-ja kanë refuzuar kërkesat ruse për zgjerimin, por kanë ofruar rrugë diplomatike për zgjidhjen e krizës.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Putin i tha Bidenit se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave ruse për sigurinë, nuk ka marrë parasysh shqetësimet e Moskës, andaj ajo “do të përgjigjet së shpejti”.
Para se të fliste me Bidenin, Putin zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Në një përmbledhje të kësaj telefonate, Kremlini tha se është bërë pak përparim drejt zbutjes së tensioneve.