Një ekip hakerash të sofistikuar, që besohet se punojnë për qeverinë ruse, arriti të depërtojë në komunikimet e brendshme të Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, sipas personave që kanë dijeni për çështjen. Kjo ishte pjesë e operacionit piraterik që u njoftua të dielën, ku rezulton se hakerat ishin futur departamentet e Thesarit dhe të Tregtisë.
Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, i cili përbën një administratë me shtrirje të gjerë dhe me shumë punonjës, përgjigjet për sigurinë e kufirit, sigurinë kibernetike dhe së fundmi për shpërndarjen e sigurt të vaksinës kundër COVID-19. Ekspertët e sigurisë kibernetike pohojnë se ka të ngjarë që Rusia të qëndrojë pas depërtimit në këto departamente, që media amerikane e quajti si një nga sulmet më të sofistikuara ndaj sistemeve të qeverisë amerikane në vite.
“I kemi kërkuar Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës si edhe FBI-së të hetojnë dhe nuk mund të komentojmë më shumë tani për tani”, tha Departamenti i Tregtisë në një deklaratë ku konfirmonte se një nga agjencitë e saj ishte bërë objekt i këtij sulmi. Si FBI ashtu edhe krahu i sigurisë kibernetike të Departamentit të Sigurisë Kombëtare po hetojnë sulmet. Nuk janë të qarta përmasat e ndërhyrjes, motivi, apo nëse janë prekur agjenci të tjera.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të këtyre njoftimeve dhe po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe riparuar dëmet e mundshme në lidhje me këtë situatë,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, John Ullyot. Kompania teknologjike SolarWinds, e cila ishte porta e përdorur nga hakerat, tha se deri në 18,000 klientë të kompanisë kishin shkarkuar një program të infektuar, që lejoi hakerat të hyjnë pa u vërejtur nga bizneset dhe agjencitë për gati nëntë muaj.
Shtetet e Bashkuara publikuan një paralajmërim emergjence të dielën, duke urdhëruar përdoruesit e qeverisë të shkëputnin nga rrjeti i tyre programin SolarWinds, për të cilin thanë se ishte komprometuar nga “aktorë keqdashës”. Një zëdhënës i Kremlinit tha të hënën se Rusia nuk ishte e përfshirë në sulm.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, që njoftoi e para për shkeljen, zyrtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara u takuan të shtunën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për sulmin, i cili përfshinte vjedhjen e informacionit në lidhje me politikat për internetin dhe telekomunikacionin.
Shkeljet vijnë një javë pasi FireEye, një kompani amerikane e sigurisë kibernetike me kontrata qeveritare dhe nga korporatat, tha se ishte vënë në shënjestër të një sulmi në të cilin hakera të një qeverie të huaj vodhën disa nga teknikat e saj kibernetike./VOA