Bullgaria, e cila ka një ndër shkallët më të ulëta të vaksinimit kundër Covid-19 në Evropë, e ka nivelin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi për 100.000 banorë në botë.

Ky shtet ka regjistruar 338.83 vdekje për 100.000 banorë, ndërsa në vendin e dytë është Brazili me 287.46 vdekje për 100.000 banorë, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.

I vetmi shtet tjetër evropian në listën e pesë vendeve me shkallën më të lartë të vdekjeve është Rumania, në vendin e tretë, me 237.73 vdekje për 100.000 banorë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Secilën ditë, Bullgaria humb njerëz sa në një rrëzim aeroplani. Është vërtet e tmerrshme”, tha për “Euroneës” Ruzha Smilova, drejtore e programit në Qendrën për Strategji Liberale.

Ndërkohë Kosova po vazhdon të shënojë shifra të vogla të infeksioneve dhe viktimave të Covid-19, por profesionistët shëndetësorë kanë kërkuar vaksinim më masiv.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, e konsideron shqetësues rritjen e hezitimit të qytetarëve për vaksinim, sidomos te të rinjtë. Ai thotë se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga efektet e vaksinimit, por nga ndikimi i sëmundjes.