Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka përjashtuar mundësinë e një nisme për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.

“Do marr çdo nismë ligjore dhe statutore brenda PD për rikthimin e  saj në piedestalin që meriton. Jashtë çdo lloj diskutimi, Jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Vendimi, kompromisi Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazareve prapa shpine ndaj një force politike që qëndron fuqishëm në pozicionin e saj si opozitë”.

Duke folur jashtë Kuvendit në mbyllje të seancës së parë për sot, pyetjes nëse ai është apo jo më i mirëpritur në selinë e PD, partisë që e themeloi, Berisha i dha këtë përgjigje.

“Në çdo kohë mund të hyj në seli dhe të jeni të sigurt se do të jetë shumë e afërt dita kur PD të rifitojë të gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën, dhunimin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe pazaret e fëlliqura me ata të cilët e shndërrojnë PD në fasadë opozitë”.

Gazetari: Vetëm tre deputetë në krahun tuaj, ndërkohë pjesa tjetër ishte në krahun e zotit Basha kur hyri në Kuvend.

Berisha: Grupi ishte në krahun e vet.