Një rrjet i trafikut të kokainës është shkatërruar pas një mega-operacioni policor në disa qytete italiane. Operacioni është mbyllur me 17 persona të arrestuar dhe sekuestrimin e 11 kg kokainë.

Autoritetet në Itali bëjnë me dije se hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur në vitin 2020 përmes përgjimeve me GPS, përgjimit të telefonatave si dhe kqyrjes së kamerave të sigurisë. Organizata e kishte bazën në Perugia, ndërsa operacioni u shtri edhe në Foligno, Spoleto, Terni, Rimini dhe Bolonja.

Në total, policia italiane sekuestroi 11 kilogramë drogë, 2 pistoleta me 139 fishekë, 4 makina dhe rreth 13 mijë euro para cash.

Besohet se ky grup ka arritur të trafikojë rreth 150 kilogram kokainë në tetë muaj, ndërsa fitimet marramendëse investoheshin në Umbria dhe Shqipëri, kryesisht në bregdetin e Shqipërisë, në ndërtimin e resorteve turistike.

Pasi droga mbërrinte në këtë zonë, “punohej” nga njerëz të besuar, të cilët e paketonin në doza më të vogla; Shpërndarja me pakicë bëhej më pas nga të ashtuquajturat “qeliza të trafikut të drogës”, të vendosura në territore të ndryshme, duke përfshirë Perugia, Foligno, Spoleto, Terni, Macerata, Rieti dhe Cattolica.

Organizata, e cila mund të mbështetej në burime të konsiderueshme ekonomike dhe bashkëpunëtorë të jashtëm, siguronte gjithashtu logjistikën; me një bazë operacionale në zonat e Foligno dhe Spoleto, ajo furnizonte të gjithë përbërësit – si dhe droga të paketuara tashmë dhe gati për shitje – gjithashtu celularë, makina, dhe shtëpi të regjistruara fiktivisht për palët e treta.

Të ardhurat e paligjshme, duke pasur parasysh gjetjet e hetimit, të vlerësuara në disa milionë euro, riinvestoheshin jo vetëm në aktivitete tregtare në Umbria dhe Shqipëri, por veçanërisht në bizneset e akomodimit, të vendosura në resortet më të njohura bregdetare.

Identitetet e personave të arrestuar nuk janë bërë publikë.