Ambasadorja e re franceze në Shqipëri, Elisabeth Barthacq, zhvillon vizitën e parë zyrtare në Elbasan, në Aleancën Franceze. E pyetur për qëndrimin e Francën për integrimin e Shqipërisë në BE, ambasadorja është shprehur se “Tani jemi në një periudhë tjetër, etapë tjetër. Duhet ta keni të gjithë parasysh se në marsin e këtij viti Këshilli Europian vendosi që negociatat me Shqipërinë do të hapen, dhe ajo që po bëjmë tani është të shohim sesi do të negociohet në të ardhmen.
Por nuk ka hapa prapa, ne jemi gjithmonë të mendimit që duam të hapim negociatat. Siç e dini mirë ka kushte për të plotësuar, siç janë shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, janë kushte të cilat janë vënë dhe që unë nuk po i përsëris të gjitha. Dhe kjo nuk varet as nga Franca, as Kroacia apo Polonia, por nga Shqipëria. Kjo është situata dhe përsa i përket marrëdhënieve dypalëshe me Francën dhe Shqipërinë. Kemi një lajm shumë të mirë, atë të ardhjes në Shqipëri, të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të vijë këtu, do të financojë projekte dhe bashkëpunime me qeverinë Shqiptare.