“Me ndihmën e Emirit të Kuvajtit, Sheikut Nawaf Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, në fshatin Mlizë të Elbasanit po ndërtohet një shkollë e re për arsimin fillor”, deklaroi sot deputeti i PS-së Taulant Balla.

Gjatë inspektimit për ndërtimin e shkollës, Balla tha se “nuk ka rëndësi nëse një fëmijë mëson në fshat apo në qytet, atij duhet t’i ofrohen të njëjtat standarde dhe mundësi arsimimi. Kjo është bindja jonë orientuese për investimet në arsim. Falë mbështetjes së Qeverisë Rama investimet në infrastrukturën arsimore në Elbasan janë shumëfishuar në këto shtatë vite”.

Balla shtoi se “por vetëm me buxhetin e shtetit nuk mundemi t’i arrijmë të gjitha investimet njëherësh dhe ne kemi ditur të shfrytëzojmë si duhet besimin e qeverive mike dhe të sipërmarrjeve private, për plot punë në dobi të komuniteteve”.

“Mliza është një nga fshatrat e Elbasanit ku popullsia vjen në rritje. Banorët nuk janë larguar drejt qytetit. Numri i lartë i fëmijëve në shkollë, detyronte mësimin me dy turne. Falë miqësisë dhe ndihmës së Emirit të Kuvajtit Sheikut Nawaf Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, të cilit gjej rastin t’i rishpreh mirënjohjen, në fshatin Mlizë po ndërtohet një shkollë e re për arsimin fillor. Godina e re do të ketë klasa shtesë dhe do të plotësojë të gjitha standardet. Shkolla e re do të jetë gati brenda disa javëve”, tha ai.

atsh

https://fb.watch/3uldDOkwtQ/