Shoqata e Bizneseve në Shqipëri i ka dërguar një letër Ministrisë së Shëndetësisë ku kërkon më shumë lehtësira.

Bizneset kërkojnë që të rishikohet ora policore dhe masat e tjera pasi përndryshe po vështirësohet situata e tyre ekonomike.

Në letrën e shoqatës thuhet se goditja e marrë nga një vit mbyllje për shkak të pandemisë ka çuar drejt falimentimit shumë biznese.

“Referuar masave në fuqi të VKM dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve në kuadër të pandemisë së Covid-19, kërkojmë lehtësira nga ju, pasi ne si biznese po përballemi me vështirësi ekonomike. Ora policore ende në fuqi, na privon nga aktivitetet që ne si biznese (lokale) zhvillojmë; (dasma, gëzime familjare e ceremoni të tjera), duke na ushtruar presion të vazhdueshëm dhe nuk na lejojnë të zhvillojmë normalisht aktivitetin tonë ekonomik, brenda orarit të lejuar nga institucionet, çka na vështirëson së tepërmi ekonominë, gjë e cila reflektohet edhe te të ardhurat familjare të çdo drejtuesi biznesi.

Për këtë arsye kërkojmë të rishikohen masat në fuqi, duke patur parasysh edhe numrin e ulët të rasteve me infektime nga Covid-19, ashtu sikurse edhe vdekshmërinë. Goditja që kemi marrë nga një vit mbylljeje për shkak të pandemisë së Covid-19, dhe orës policore ende në fuqi, do të na e vështirësojë akoma dhe më shumë ekonominë dhe financat, duke na çuar drejt falimentit. Është e udhës të gjendet një zgjidhje dhe reagim sa më i shpejtë nga ana juaj, në te kundërt edhe ne referuar rregullave e ligjeve në fuqi do të reagojmë”, thuhet në letrën e shoqatës.

web