Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shpall laureatët e vitit 2021 përmes një manifestimi ku kanë marr pjesë vetëm fituesit, por jo edhe mysafirë të tjerë, shkaku i masave në fuqi për mbrojtje nga Covid-19.
Çmimin kryesor, futbollist i vitit, e ka fituar ylli i Kombëtares së Kosovës, kapiteni Amir Rrahmani, i cili po kalon formë fantastike në kampionatin italian me Napolin, ndërkohë te ekipi i “Dardanëve” është bërë lider skuadre.
Rrahmani i ka zhvilluar 20 ndeshje këtë sezon, respektivisht 1.598 minuta të luajtur. Ndër të tjera, i ka realizuar edhe dy gola në fanellën e Napolit.
Amiri ishte transferuar në Napoli pas eksperiencave pozitive në Dinamo Zagreb dhe në Verona.
Ai është bërë njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm te Napoli, skuadër kjo që po lufton për titull të kampionit në Serie A, ku aktualisht është e dyta me 39 pikë, vetëm katër pikë prapa kryesuesit, Interit, shkruan Gazeta Express.
Vetëm pas tri-katër xhirosh në kampionatin italian, Rrahmani shpejt kishte filluar të zë vend në skuadër, duke e arsyetuar çdo minutë loje dhe kështu është bërë shtyllë e fortë e Napolit, duke ia zënë vendin në formacionin kryesor Kostas Manolas, i cili u detyrua të kthehet në Greqi, pasi vendin në Napoli ia zuri ylli kosovar.
Rrahmani është pjesë tejet e rëndësishme edhe në Kombëtaren e Kosovës, mbrojtja e së cilës varet jashtëzakonisht prej tij.