Dy motra janë bërë bashkë dhe kanë dhunuar kunatën e tyre, nusen e vëllait, ndërsa i kanë marrë fëmijët dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia. Episodi është regjistruar në fshatin Qifllak të Gjakovës.

Ka qenë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, i cili ka konfirmuar ngjarjen në fjalë, ndërsa bëri me dije se, pas marrjes së denoncimit nga e dhunuara, kësaj të fundit i janë rikthyer dy fëmijët e mitur, me të cilët është strehuar tek prindërit e saj.

Ndërkohë, njëra prej të akuzuarave është arrestuar dhe marrë në pyetje për ngjarjen, ndërsa kunata tjetër është shpallur në kërkim, pasi nuk është gjetur në banesën e saj kur ka shkuar policia ta shoqërojë në komisariat.

“Datë 22.12.2021 rreth orës 13:00 është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale ‘Dhuna në familje’ pasi që policia ka pranuar informate përmes telefonit nga prindi i viktimës, i cili raporton se vajza e tij e cila është e martuar që 5 vite në fshatin Qifllak sot është rrahur nga dy kunata e saj. Motrat e burrit dy të dyshuarat e lartëckura, i kanë ndaluar dy fëmijët e saj dhe e kanë dëbuar nga shtëpia”, tha Gjurkaj, i cili tha se viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore.

“Viktima është intervistuar në stacionin policor, ju është ofruar ndihma mjekësore në QKMF Rahovec pasi kishte lëndim të lehtë në dorën e djathtë të shkaktuar nga dhuna e përdorur, me pas në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale janë marrë dy fëmijët e viktimës të moshës 3 dhe 1 vjeç, ju janë dhënë viktimës dhe me vullnetin e saj viktima bashkë me fëmijët është strehuar të prindërit e saj në fshatin Ratkoc”, njoftoi Gjurkaj.

Zëdhënësi i Policisë shtoi se njëra nga të dyshuarat është arrestuar dhe intervistuar për rastin e cila e mohon në tërësi veprën, ndërsa e dyshuara tjetër nuk është hasur në shtëpi, dhe se të njëjtës i është lënë ftesa të paraqitet në stacionin policor në Rahovec me qëllim të intervistimit.

“Pas intervistave është konsultuar Prokurori kujdestar i cili udhëzon rastin në procedurë të rregullt. Për rast është njoftuar Qendra për pune sociale dhe mbrojtësi i viktimave”, pohoi ai.