Një kompleks ushtarak në qytetin jugor rus të Belgorodit në kufi me Ukrainën shpërtheu në flakë pasditen e të dielës.

Lajmi u konfirmua nga guvernatori i rajonit, Vyacheslav Gladkov, i cili tha se si pasojë e shpërthimit ka mbetur i plagosur një banor vendas.

Sipas tij i plagosuri kishte pësuar lëndime të lehta dhe nuk ishte në rrezik për jetën. Ai shtoi gjithashtu se shtatë ndërtesa u dëmtuan nga zjarri.

Ministria e Mbrojtjes ruse nuk ka komentuar mbi ngjarjen, shkaqet e të cilës mbeten ende të paditura.

Imazhet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një re tymi që ngrihet mbi të gjithë qytetin e Belgorodit.

Guvernatori i rajonit Kursk, i cili gjithashtu kufizohet me Ukrainën, tha se një urë hekurudhore e përdorur nga trenat e mallrave ishte dëmtuar. Roman Starovoit e quajti incidentin sabotim.

Zonat e tjera ruse në kufi me Ukrainën kanë raportuar gjithashtu bombardime ndërkufitare që kur Moska dërgoi mijëra trupa për të pushtuar Ukrainën.