Futbolli shqiptar është në zi. Sot është shtë ndarë nga jeta Robert Jashari, ish-futbollisti i njohur i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Partizanit në vitet 1950-60.

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të njeriut tonë të dashur e të shtrenjtë, të bashkëshortit, babait dhe gjyshit shembullor”, lajmërojnë familjarët e legjendës së Partizanit.

Robert Jashari lindi më 2 shkurt të vitit 1938. Ai ka qenë futbollist i Partizanit dhe i kombëtares shqiptare, si dhe më pas ka qenë edhe trajner i disa ekipeve.

Gazetari Uvil Zajmi në një shkrim të tijin në Panorama Sport do të shkruante se “Jashari ishte titullar për shumë vite me Partizanin e madh dhe i skuadrës kombëtare, autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit. Tri herë golashënues, pastaj trajner, një karrierë e papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim.

Një Pushkash për forcën, energjinë dhe golat e realizuar, por edhe një Van Gal i vërtetë për dinamikën që transmetonte nga stoli”.