Para tre ditësh, kryetari demokrat, Sali Berisha, ngriti në Kuvend shqetësimin në lidhje me pronat e komuniteteve fetare në vend.
“Ju po diskriminoni dhunshëm komunitetet fetare, diskriminoni pronarët, diskriminoni të përndjekurit politikë. Tokat e komuniteteve fetare grabiten dhe plaçkiten nga lukunia juaj në pushtet, që nuk njeh kufi dhe vjedhje,” tha Berisha.
Ndërkohë ky shqetësim i ngritur nga Berisha është konfirmuar në raportin e sapopublikuar të Departamentit të Shtetit për liritë fetare në Shqipëri.
Pesë bashkësitë fetare, që kanë marrëveshje me qeverinë, vazhduan të shprehin shqetësime për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, duke deklaruar se korrupsioni, mungesa e njohurive të qeverisë për kompetencat dhe juridiksionin për çështjet e pronësisë dhe ngarkesat e mëdha të çështjeve në sistemin gjyqësor, penguan përmbushjen e kërkesave të tyre.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila në vitin 2020 krijoi një regjistër zyrtar për të treguar sasinë, vlerën dhe pronësinë mbi pasuritë e patundshme, raportoi sfida në procesin e kthimit të pronave që shfrytëzohen nga palët e tjera, duke siguruar kompensim me prona të tjera, ose duke paguar kompensim në para.
Drejtuesit e Vëllazërisë Ungjillore raportuan për vështirësi të vazhdueshme për sigurimin e lejes për ndërtimin e objekteve të adhurimit. Komuniteti Bektashi dhe Komuniteti Mysliman raportuan sërish probleme për mbrojtjen e të drejtave të tyre mbi disa prona.
Pesë bashkësitë kryesore fetare vazhduan t’i kërkojnë qeverisë lirimin nga taksa të caktuara shtetërore, sipas marrëveshjeve dypalëshe. Megjithëse, mbështetën masat e qeverisë për parandalimin e COVID-19-tës, udhëheqësit fetarë u ankuan se qeveria nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë financiare për t’u përballuar me ndikimin e pandemisë, dhe se kufizimet në tubimet publike, penguan mbledhjen e fondeve,” thuhet në raport.