Kuvendi i Shqipërisë ka votuar me shumicë votash ratifikimin e protokolleve për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në Aleancën ushtarake të NATO-s. Ky proces duhet të bëhet edhe nga parlamentet e 29 vendeve të tjera të NATO-s, në mënyrë që dy vendet nordike të anëtarësohen zyrtarisht.

Kanë qenë një grup deputetësh socialistë me në krye Taulant Ballën, të cilët dje i kanë dërguar shkresë Kuvendit dhe kanë kërkuar që të ndryshohej rendi i ditës, në mënyrë që në seancën e sotme të futej dhe votimi i protokolleve të të dy vendeve, Suedisë dhe Finlandës.

Me duartrokitje dhe prezencën e ambasadorëve të dy vendeve në lozhat e Kuvendit, kryetarja Lindita Nikolla ka njoftuar “okay-n” e Shqipërisë.

Po ashtu, në seancën e sotme plenare që ka përfunduar vetëm pak minuta më parë, është votuar me shumicë votash pro edhe për dënimin e krimeve në masakrën e Serbrenicës. Referuar dokumentit, 11 korriku shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Serbrenicë.

113 deputetë kanë votuar duke i dhënë “dritën jeshile” rezolutës së dorëzuar në Kuvend. Ndërkohë, Kuvendi ka rrëzuar 4 amendamente të propozuara nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Tritan Shehu.