Një shtetas nga Gjakova është vendosur në pranga pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë.

Pas dhunës së ushtruar, hungarezja është larguar nga shtëpia ku banonin dhe ka tentuar të ikë në shtetin e saj, por i akuzuari iu është vendosur pas dhe e ka kthyer me forcë në banesë.

Më pas, ai mësohet se e ka mbyllur në dhomë dhe e ka goditur me rrip, duke i shkaktuar lëndime në trup.

“Prokuroria njofton se, më 26 gusht 2022 në Gjakovë, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.B., i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, T. J. G. (shtetase hungareze) viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë, me të cilën ishte duke bashkëjetuar. Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj në vazhdimësi nga i pandehuri, e dëmtuara kishte dalë nga shtëpia dhe kishte tentuar që të ikë për tu kthyer në shtetin e saj në Hungari, ku të njëjtës i është vënë pas i pandehuri duke e kthyer dhunshëm në shtëpi, të cilën e mbyll në dhomë duke e goditur me rrip në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’ rast të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore, sipas raportit mjekësor te lëshuar nga reparti i emergjencës së Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë”,
 thuhet në njoftimin e prokurorisë së Gjakovës.

Prokurori ka kërkuar ndaj të pandehurit masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.