Seanca gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit është shtyrë për vitin e ardhshëm. Avokatët e personave të marrë të pandehur nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, janë shprehur se personat që janë në arrati nuk kanë marrë dijeni për gjyqin.
“Klodian Zoto nuk kishte marrë dijeni, se janë në mungesë. Edhe kompanitë nuk ishin njoftuar. Seanca e radhës do të bëhet më 18 janar në orën 09.00”, u shpreh një prej avokatëve, teksa tha se pritet që Policia të bëjë njoftimet përkatëse.
Ndërkohë, avokati Saimir Vishaj deklaroi se dosja e inceneratorit të Elbasanit është hetuar njëherë nga Gjykata e këtij qyteti dhe kishte mbyllur hetimet për Mirel Mërtirin e të tjerë. Ndaj, ai tha se do të kërkoj pushimin e gjykimit.
“Unë përfaqësoj Jonida Zeqon. Ne do kërkojmë që çështja të pushohet, se është e gjykuar”, është shprehur Vishaj. Avokati ka treguar se në bazë të ligjit, një çështje e gjykuar më parë, nuk mund të gjykohet përsëri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi pak javë më parë hetimet dhe çoi për gjykim të akuzuarit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja dhe 2 kompanitë shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k.