Vjola Sterjo, drejtoreshë në disa institucione publike, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës. Ajo u arrestua dy ditë më patë pasi akuzohet se ka mashtruar disa qytetarë e biznesmenë, se do përfitonin grante për ndërtimin e hoteleve dhe restoranteve.

Togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë së qytetit juglindor dhe kanë quajtur të ligjshëm arrestimin e ish-drejtoreshës, duke dhënë për të masën paraprake të sigurisë “Arrest në burg”.

Vjola Sterjo dyshohet se arritur të përfitojë shumën 365 mijë euro me premtimet e rreme. Ajo i kishte marrë 160 mijë dollarë amerikan një personi me emrin Genti, pasi do e ndihmonte të përfitonte një grant prej 3.5 milionë eurosh për të ndërtuar një hotel në Voskopojë.

Shtetasi Thanas Sulo, pasi kishte mësuar për këtë veprimtari. I kishte kërkuar Gentit që ta prezantonte me ish-drejtoreshën pasi në pikën e karburantit që ai kishte, në tokën pranë, donte të ndërtonte një hotel. Ky shtetas ka deklaruar se ka paguar 57 mijë euro dhe 10 milionë lekë të vjetra.

Një tjetër shtetas që është pyetur nga Prokuroria e Korçës dhe ka rënë pre e mshtrimit, është dhe Olgert Kafazi. Ai donte të bënte një resort në Voskopojë dhe për këtë Vjola Sterjo i kishte premtuar se do merrte grant prej 2 milionë eurosh.

Kafazi ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore që i ka dhënë Vjola Sterjos 90 mijë euro, shumë të cilën e kishte përfituar nga ortaket e tij. Fillimisht i ka dhënë 15 mijë euro në dorë në Tiranë dhe disa herë shuma të tjera parash ia ka dërguar me bankë. Në fillim të vitit 2022, ai është informuar se Viola Sterjo nuk kishte bërë asnjë aplikim që ai të përfitonte grandin dhe kjo e ka bërë të dyshonte se ajo e kishte mashtruar.