Seanca e radhës gjyqësore në procesin kundër biznesmenit Ardian Çapja, e njoftuar këtë të mërkurë, është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të një prej të pandehurve, shtetasit Olsi Leku.

Ardian Çapja dhe disa persona të tjerë të përfshirë në dosjen e tij, akuzohen se kanë vrarë babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri, ngjarje e ndodhur në shtëpinë e viktimave në Elbasan, më datë 15 korrik të vitit 2012.

Florenc Çapja dhe Ardjan Çapja, në vitin 2012, pretenduan se nuk kishin lidhje me krimin, pasi ditën e ngjarjes ndodheshin në Maqedoni dhe jo në Elbasan. Por 8 vite më vonë, njëri nga vrasësit me pagesë Ervis Bardhi, u zbulua nga një gjurmë gishti, që më pas solli pendimin e tij dhe bashkëpunimin me prokurorinë.

I penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi tregoi se së bashku me Olsi Lekun ishte paguar nga Ardjan e Florenc Çapja 50 mijë euro, në këmbim të vrasjes. “Ardiani me tha të shkoja atje lart tek Gentjan Beqiri e ai të vritet. E pranova ta vrisja me Olsi Lekun vetëm për lekët. S’kisha asnjë konflikt me Beqirin”, ka thënë Bardhi.

Më datë 17.06.2021, SPAK paraqiti në gjykatë kërkesë për kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj të pandehurve Ardian Çopja (Çapja), Florenc Çapja, Olsi Leka (alias Jorgo Leku) alias Giorgo Lekou, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli e Etjen Cani, të akuzuar per kryerje të veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, për vrasje të kryer ndaj dy viktimave Nezir Beqiri e Gentjan Beqiri (babë e bir).