Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur sot në GJKKO për të nisur seancën me trupën e re gjykuese.  Seanca është shtyrë për në datën 17 janar ora 11:00, për shkak se gjyqtari Florian Kalaja kërkoi kohë për t’u njohur me dosjen. Ai mori çështjen në dorë pas dorëheqjes së Daniela Shirkës një ditë më parë.

Jashtë dyerve të gjykatës avokati Maks Haxhia tha se do të presin shqyrtimin e kërkesës në lidhje me gjyqtaren Shirka, ndërkohë që një mesazh e pati për organet e vettingut, duke deklaruar se sot jemi në kushtet kur atyre u zgjatet mandati, sepse duan të shkojnë me pushime ndërsa fatura mbetet në kurriz të popullit.

“Sipas procedurë kërkesa u paraqit në gjykatë për të parë se cili është shkaku. Është bërë kërkesë për të mos qenë prezente gjyqtarja Shirka. Presim që gjykata të na vërë në dijeni shkakun. Nëse shkaku do jetë i njëjtë me atë që ne kemi kërkuar.

Nëse kemi ndërtuar një gjykatë, ajo është specializuar dhe ka autoritetin për të gjykuar subjekte të tilla. Por kjo është situate në sistemin në drejtësi ashtu si është edhe harta gjyqësore.   Është e pajustifikueshme që një komision i lartë i zgjatet vettingu dhe nuk punojnë për shkojnë me pushime në vend që gjithë verës të merreshin me dosjet dhe fatura shkon në kurriz të popullit”, tha Haxhia.

Shirka është e treta gjyqtare qe tërhiqet nga çështja penale ndaj Tahirit dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çelës, me argumentin se është në papajtueshmëri. Disa javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelës u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Përpos konfliktit të interesit të gjyqtares Albana Boksi, gjykata thekson se prokuroria u dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza dhe se nuk i dha mundësinë ish-ministrit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës që u dënua me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove. SPAK e akuzoi për trafik droge, por gjykata ish-ministrin e Brendshëm e dënoi vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa me prishjen e vendimit nga Gjykata e Lartë, dosja u rikthye edhe njëherë në Apel.