Për të shmangur rrezikun që mund të vijë nga uji i grumbulluar në këto pajisje, AgroWeb.org ju rekomandon që depozitën ta pastroni rregullisht.
Në mungesë të ujit të rrjedhshëm 24 orë, shumë qytetarë përdorin në shtëpitë e tyre ujë që vjen nga depozitat personale.

Por depozitat nëse nuk pastrohen shndërrohen në një vend grumbullimi për mikrobe të shumta që kontaminojnë ujin që derdhet aty duke u kthyer kueshtu në faktor rreziku për shëndetin e qytetarëve.

Për të shmangur rrezikun që mund të vijë nga uji i grumbulluar në këto pajisje, AgroWeb.org ju rekomandon që depozitën ta pastroni rregullisht.

Bazuar në udhëzimet e Institutit të Shëndetit Publik, AgroWeb.org sjell në këtë artikull hapat që duhet të ndiqni për pastrimin rrënjësor të tyre.

Ky pastrim ka për qëllim që të heqë mbetjet e ngurta të cilat precipitojnë me kalimin e kohës në fund të depozitës si dhe të pastrojë faqet e brendshme të pajisjes duke përdorur dezinfektantë kimikë.

Hapat që duhet të ndiqen për pastrimin e ujit të depozitave
AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni mirë nga jashtë depozitën, duke e larë me ujë të rrjedhshëm dhe të bollshëm;

Mbyllni valvulat e tubacioneve të furnizimit me ujë;

Boshatisni plotësisht depozitën e ujit;

Zhvendosni të gjitha mbetjet që kanë precipituar në fund të pajisjes, duke përdorur doreza;

Pastroni faqet e brendshme të depozitës së ujit duke përdorur një furçë dhe pastaj një shtupë të re, në mënyrë që të garantohet një pastrim sa më i plotë i pajisjes nga brenda;

Shpëlani me ujë të rrjedhshëm me presion faqet e brendshme të depozitës, derisa të pastrohen plotësisht;

Dezinfektoni sipërfaqen e brendshme të depozitës, sipas përshkrimit të mëposhtëm:

Si bëhet dezinfektimi i sipërfaqes së brendshme të depozitave?
Pasi është pastruar nga brenda depozita, bëhet dezinfektimi i sipërfaqes së brendshme të saj sipas njërës prej dy mënyrave të mëposhtme:

Përgatitet tretësira dezinfektuese duke përdorur 1 kg klor për 5 litra ujë.

Tretësirën e përftuar e vendosim në një enë dhe me ndihmën e një shtupe të re fërkojmë të gjithë sipërfaqen e brendshme të depozitës.

Kjo tretësirë dezinfektuese duhet të lihet të qëndroje për të paktën 30 – 60 minuta.

Rekomandohet që ky veprim të bëhet para orarit të furnizimit me ujë të pijshëm nga rrjeti shpërndarës i ujësjellësit.

Shpëlahet depozita me ujë të pastër dhe të bollshëm për të eliminuar të gjithë përzierjen e klorit të mbetur në të.

Më pas bëhet dhe larja e dytë me sodë, në mënyrë që të heqim çdo mbetje të klorit por dhe ndonjë papastërti tjetër.

Duke e larë me sodë depozita do të humbasë aromën e klorit dhe në momentin që të mbushet përsëri me ujë të pijshëm do të jetë plotësisht i pastër.

Shtupën që përdorëm më parë, duhet ta lani me ujë të bollshëm për t’i larguar erën e klorit.

Me ndihmën e një ene të vogël plastike hedhim afërsisht 2 kilogram me sodë dhe ujë dhe më pas e fërkojmë me shupën e pastër.

Në fund e shpëlajmë me ujë të pastër deri sa të jemi të sigurt që i kemi eleminuar mbetjet e sodës.

Mbushet depozita me ujë të pijshëm të ujësjellësit.

Në fund depozita mbyllet hermetikisht me kapak./AgroWeb.org