Sigurimi i shëndetit në udhëtim është ndër të paktët produkte të sigurimeve që ende nuk është rimëkëmbur pas pandemisë.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për pesë muajt e parë të vitit 2021, primet e shkruara bruto në këtë produkt ishin në rënie me pothuajse 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Primet e shkruara bruto për këtë produkt kishin vlerën e 47.5 milionë lekëve ose rreth 390 mijë eurove. Pesha e këtij produkti në strukturën e primeve të shkruara bruto është në nivele mjaft të ulëta, me 0.7% të totalit.

Sigurimi i shëndetit në udhëtim ka qëllim të mbrojë të siguruarin në rast të aksidenteve apo urgjencave shëndetësore që mund t’i ndodhin gjatë periudhës kur ndodhet jashtë vendit. Polica e sigurimit të shëndetit në udhëtim mbulon shpenzimet emergjente mjekësore dhe shpenzimet e nevojshme të riatdhesimit, deri në vlerën maksimale të shpenzimeve të përcaktuara në formularin e policës së sigurimit.

Si pjesa dërrmuese e produkteve të sigurimit, blerja e tyre mbi baza vullnetare është shumë e ulët. Kjo policë sigurimi, në shumicën e rasteve, blihet sepse është një dokument që kërkohet në kufi nga autoritetet e vendeve pritëse. Edhe pas heqjes së vizave me vendet anëtare të Bashkimit Europian, kjo polica ka ngelur pjesë e dokumentacionit që kërkohet në momentin e hyrjes në hapësirën Schengen.

Në fakt, të dhënat e Instat tregojnë se daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit i janë kthyer rritjes këtë vit, pas zbutjes së masave kufizuese për përhapjen e pandemisë. Për periudhën janar-maj 2021, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit arritën në 1.33 milionë, në rritje me rreth 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, pavarësisht nga kjo primet nga sigurimi i shëndetit në udhëtim ngelen në rënie. Kjo mund të lidhet edhe me strukturën e destinacioneve drejt të cilave kanë udhëtuar shqiptarët. Në kushtet kur Bashkimi Europian ka ruajtur ende kufizime të ndjeshme në lëvizjet ndërkufitare të njerëzve, lëvizjet mund të kenë të drejtuara në një pjesë më të madhe drejt vendeve fqinje, ku kjo policë sigurimi nuk kërkohet.

Për pesë muajt e parë të këtij viti, ky produkt është dominuar nga Sigal Uniqa Group Austria, që ka raportuar rreth 69% të primeve të shkruara bruto në nivel tregu. Kompania e dytë, me diferencë të thellë është Albsig me 13% të primeve, ndërsa kompanitë e tjera kanë pjesë tregu modeste, në nivele njëshifrore. / E.Shehu