Kryetari i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha zhvillloi një takim me mësues nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët ndanë shqetësimin për situatën që po kalon arsimi shqiptar muajt e fundit dhe masat që janë marrë për mbrojtjen e shëndetit të mësuesve dhe nxënësve në ambientet shkollore.

Mësuesit u shprehën se s’kanë marrë asnjë lloj shpërblimi për orët e shtuara gjatë javës. Mësuesit u shprehën se ata gjenden krejtësisht të pambrojtur nga rreziku i vazhdueshëm nga infektimi me COVID-19.

Nga ana e tij kryedemokrati Basha premtoi për ta trajtim mbrojtës njësoj si kategoria më e ekspozuar pas mjekëve dhe infermierëve.

Lulzim Basha: Së pari ju uroj mirëseardhjen në këtë takim. Kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj, sigurisht duke respektuar distancat, që të gjithë me maska që për fat të keq është rutina e përditshme e çdokujt, e në veçanti e juaja, e mësuesve të sistemit parauniversitar të shkollave 9-vjeçare dhe të shkollave të mesme, nga e gjithë Shqipëria që jeni mbledhur në këtë takim. Gjatë këtyre ditëve, kam marrë takime me pedagog të universiteteve, me profesionistët e shëndetësisë, mjekët e familjes, profesorët që janë në krye të përpjekjes për t’u përballur me pandeminë. Me pacientët që e kanë kaluar pandeminë. Me sipërmarrjen, me farmacistët. Por gjykoj se ky është momenti për të folur me ju si përfaqësues të një prej grupeve më të mëdha të rrezikuara, të ekspozuara dhe që përballeni ditë për ditë me rrezikun e pandemisë, në veçanti prej 14 shtatorit e këtej, kur janë hapur shkollat, që është grupi i, mësuesve shqiptar. Nuk është takimi i parë që bëj me ju, me përfaqësuesit e mësuesisë shqiptare.
Për fat të keq të gjithë e dini dhe të gjithë keni vëmendje të madhe dhe trishtim infeksioni që po përhapet. Në qoftë se ju referohem disa shifrave që kam këtu përpara që nuk janë të plota bëhet fjalë për mbi 100 mësues të prekur me covid në Korçë dhe dy ditët e fundit 250 nxënës po në Tiranë të prekur ose të karantinuar dhe afro 100 mësues.

A mund të ishin shmangur këto? A mund të ishin shmangur këto raste tragjike dhe ky infektim masiv?
Ne i propozuan që në fillim qeverisë të ndërmerrte disa hapa. Së pari, të bënte testimin masiv të mësuesve. Nuk e shpikëm ne këtë. Ky është procesi që ndoqën në Kosovë autoritetet. Çfarë na mungon në krahasim me Kosovën që mos të bënim kaq, të paktën kaq kur buxheti ynë në vlerë absolute është pothuaj dyfishi i buxhetit të Kosovës, buxheti i shtetit dhe pastaj testime periodike. Së dyti të merrnin masat minimale për ambiente të sigurta, dezinfektimin e ambienteve, ujin e rrjedhshëm që vazhdon të mungojë. Këtej thuhet që një nga hapat kryesorë është higjiena personale, si mund të kesh higjienën personale kur 7 në 10 shkolla nuk kanë ujë të rrjedhdhëm.