Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një bashkëbisedim me votuesit për herë të parë në Elbasan. “Jemi në një fazë shumë të rëndësishme të transformimit të Elbasanit me disa projekte të mëdha. Kush do ta krahasonte 2013 si e gjetëm ne Elbasanin dhe si është sot, numri i vendeve të punës është shtuar me disa herë”, tha Balla.

I pyetur nga maturantët nëse do të ketë lehtësime për tu pranuar nga universitetet për shkak të pandemisë, Balla tha se çdo gjë do ti kthehet normalitetit shumë shpejt pasi të vaksinohen të gjithë qytetarët.

“Masat që po ndërmerr qeveria do na çojnë drejt krijimit të një imuniteti të masës dhe do ti kthehemi shumë shpejt normalitetit. Brenda një viti do të kemi përfunduar vaksinimin për qytetarët që duan”, deklaroi Taulant Balla.

Duke iu rikthyer sërish çështjes së arsimit profesional Balla “thumboi” opozitën. “Në vitin 2013 që kur Lul Basha ishe në qeverisje me Monën e Ilirin dhe me krye Saliun në këtë vend, mbaronin vitin shkollor 30 mijë student dhe shpërndaheshin 60 mijë diploma.

Nëse nuk do kishte ardhur PS në qeverisje ai sistem do ishte perfeksionuar edhe më tej madje mund të kishim kaluar në metodën që sa mbaron 8-vjeçaren do kaloje direkt në universitet”, tha Balla