Pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm të situatës, që është reflektuar më tej edhe në lehtësimin e masave, të cilat hyjnë në fuqi prej datës 1 qershor, kufijtë me Greqinë vijojnë të jenë të mbyllur.

Ambasada greke në Tiranë ka njoftuar një ditë më parë se masat kufizuese për qytetarët shqiptarë do të zgjasin të paktën edhe një javë tjetër, deri në datën 7 qershor. “Masat kufizuese që janë ndërkohë në fuqi për personat që udhëtojnë nga Shqipëria për në Greqi, mbeten në fuqi ashtu siç janë sot, deri në datën 7 qershor 2021”, thuhet në njoftimin e ambasadës greke.

SITUATA

Por cila është situata aktuale nga COVID-19? Edhe të dhënat për 24 orët e kaluara flasin për situatë të përmirësuar. Kështu, nga rreth 2200 testime të kryera janë regjistruar vetëm 12 raste të reja, ndërsa numri i të infektuarve aktivë ka zbritur në 551 persona në të gjithë vendin. “Janë kryer 2,170 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 5 raste në Tiranë, 3 raste në Berat, 1 rast në Shkodër, Vau i Dejës, Elbasan, Sarandë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 93 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,308 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Sakaq, numri i të shtruarve në spital nuk ka ndryshuar. Aktualisht po marrin trajtim mjekësor në dy spitalet Covid 42 pacientë, nga të cilët 7 janë në terapi intensive. Të dielën është raportuar edhe një humbje jete, ndërsa prej fillimit të pandemisë janë 2,450 persona që kanë humbur betejën me sëmundjen. Kjo, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë. “Aktualisht, në spitalet COVID po trajtohen 42 pacientë, nga të cilët 7 pacientë janë në terapi intensive. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e ka fituar 1 qytetar nga Përrenjasi, 61 vjeç”, kanë bërë me dije autoritetet. Por, sipas Institutit të Sigurimeve, përgjatë një viti pandemik janë shënuar më shumë se 9 mijë vdekje shtesë, kjo në raport me mesataren e 5 viteve të fundit.

VAKSINAT

Lidhur me procesin e vaksinimit, ministrja Manastirliu bëri të ditur një ditë më parë se me vaksinimin e punonjësve të transportit publik, numri i të vaksinuarve do të shkojë në 770 mijë. Sot pritet që të mbërrijë edhe dërgesa me vaksina nga “Pfizer”, gati një javë me vonesë, pasi më herët u tha që do të mbërrinte në datën 24 maj, gjë që nuk ndodhi. “Me vaksinimin e punonjësve të transportit publik, ia kemi dalë të kryejmë më shumë se 770 mijë vaksinime për qytetarët mbi 60 vjeç dhe punonjësit e shërbimeve kritike. Nesër priten sërish 11,700 doza vaksinash ‘Pfizer’, për të vijuar pa u ndalur me kalendarin e vaksinimit anti-Covid”, ka shkruar ministrja Manastirliu në rrjetet sociale.