Një skandal është zbuluar së fundmi në Parlamentin britanik, konkretisht në “House of Commons”, një nga dhomat e Parlamentit përgjegjëse për nxjerrjen e ligjeve dhe kontrollimin e punës së qeverisë.

Sipas Daily Mail, një deputet po akuzohet se ka parë në disa raste pornografi në telefonin e tij, gjatë mbledhjeve të Dhomës si dhe në një seancë dëgjimore parlamentare.
Akuza është ngritur nga disa deputete femra, të martën, shkruan Daily Mail. Por emri i deputetit të përfshirë në këtë skandal nuk bëhet me dije.

Mësohet se ai është deputeti i Konservatorëve dhe këta të fundit kanë nisur një hetim mbi pretendimet se deputeti i tyre shikonte pornografi në telefonin e tij ndërsa ishte ulur në “House of Commons”.

Pretendimi u bë në një takim të politikaneve femra ku u fol për kulturën seksiste të përhapur në Parlament, ku merrte pjesë edhe ish-kryeministrja Theresa May.

Një deklaratë nga zyra e shtypit e Konservatorëve sqaroi se “Chris Heaton-Harris po shqyrton këtë çështje. Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe do të ndërmerren veprime.”

I pyetur në lidhje me pretendimin, deputeti konservator Brandan Clarke-Smith tha për BBC: “Unë mendoj se është vërtet e papranueshme në çdo vend pune. Nuk mendoj se është domosdoshmërisht unike për deputetet. Nëse dikush e ka bërë këtë, atëherë me të drejtë do të prisja që të kishte disa pasoja për këtë”.

Në fundjavë u zbulua se pesë ministra po përballen me akuza për sjellje të pahijshme seksuale pas ankesave që janë drejtuar në organin mbikëqyrës të ngacmimeve në Parlament.