Prej dy ditësh, kudo flitet për skandalin e publikimit të të ardhurave të shtetasve shqiptarë dhe shumë shtetasve te huaj që punojnë në Shqipëri. Të dhënat gjenden në dorën e kujtdo, përfshi keqbërës qe jo vetëm mund t’i aksesojnë, por njëherazi mund t’i përdorin ato për ngjarje kriminale.
Kjo listë u shpërnda përmes WhatsApp dhe aktualisht është bërë virale, ndërkohë që nuk dihet prej nga janë shpërndarë ato.
Për këtë ka reaguar dhe Komuniteti Shqiptar në Greqi duke thënë se disa muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, i kërkuan të deklaronin vendbanimet përmes e-albania për të votuar. Sipas tyre, fakti që vetëm disa emigrantë po deklaronin të dhënat, u kërcënuan me sanksione për mos ofrim shërbimesh online, shërbime që i cilësojnë jetike për shkak të largësisë nga atdheu dhe pamundësisë për ti patur në kohën e duhur.
“Pak muaj para zgjedhjeve qeveria shqiptare na kërkoi të gjithë emigrantëve, të deklaronim vullnetarisht vendbanimet tona në shtetet ku jetojmë nëpërmjet platformës e-Albania. Kjo me justifikimin se ishte e domosdoshme për të votuar nga vendet ku jetojmë. Kjo e drejtë nuk na u garantua kurrë. Sigurisht që shumë prej nesh, duke jetuar në perëndim, ishim shumë skeptikë. Ndërkohë, pasi u pa që vetëm një pjesë shumë e vogël emigrantësh po deklaronin të dhënat, nga ana e qeverisë u kërcënuam me sanksione për mos ofrim shërbimesh online, shërbime këto që janë jetike për ne për shkak të largësisë nga atdheu dhe pamundësisë për ti patur ato në kohën e duhur”, thuhet në reagim.
Pas kësaj përmend faktin e publikimit të të dhënave dhe i kërkon Ramës që të kërkojë falje për presionin që ushtroi së bashku me qeverinë.
“Si për ironi të fatit, pa kaluar viti dashje pa dashje u vërtetua skepticizmi ynë kur këto ditë ka plasur dhe skandali i rrjedhjes së të dhënave personale dhe ekonomike të më shumë se 650 mijë shtetasve që jetojnë në Shqipëri. Sot, Kryeministri shqiptar u kërkoi falje shqiptarëve të prekur nga paaftësia e qeverisë që ai vet drejton.
Duke qenë plotësisht në të drejtën tonë dhe ne i kërkojmë sot Kryeministrit, të na kërkojë falje për presionin që ushtroi ai dhe qeveria e tij ndaj nesh për një çështje që sot rezultoi që ishte abuzim mbi të drejtat tona si shtetas shqiptarë që jetojmë jashtë Shqipërisë dhe se shteti amë është i paaftë të na garantojë sigurinë mbi të dhënat tona personale”, përfundon reagimi i postuar në faqen e Komuniteti Shqiptar në Greqi.