Më shumë se 160 mijë të rinj nga 15 deri në 29 vjeç në vend nuk shkojnë në shkollë e as në punë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se kjo kategori përbën mbi 26 për qind të kësaj grupmoshe.

“Gjë që ka çuar në shtimin e largimeve nga vendi ynë, drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera duke krijuar boshllëqe në tregun e punës”, u shpreh ekspertja Muçaj.

Ndaj për t’i mbajtur ata në Shqipëri, qeveria ka miratuar Skemën e Garancisë Rinore, e cila ka për synim të arrijë “të nxënit duke punuar”. Të rinjtë nga 15 deri në 29 vjeç do për futen në kurse 3 deri në 6 mujore dhe pas kësaj periudhe do t’u garantohet punësimi edhe për 6 muaj të tjerë. 

Ata do të përfitojnë rimbursimin e kostos së transportit në vlerën e 1 mijë e 600 lekëve në muaj, pagesë sa 80 për qind  e pagës minimale për periudhën e praktikës e më pas pagë të plotë.

“Kjo vjen në vazhdën e politikave që qeveria ka ndërmarrë së fundmi me rritjen e pagës minimale apo të niveleve të tjera. Kjo si pasojë e  problematikave të shumta që ne po kemi te tregu i punës”, shtoi ekspertja e ekonomisë Muçaj

Nxitje do të kenë edhe kompanitë që do të marrin përsipër formimin profesional dhe punësimin e të rinjve. Ato përfshijnë pagesën e instruktorit të biznesit, dhe rimbursimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.

Po a do të arrijnë këto politika të lidhin punëdhënësit me të rinjtë që as punojnë e as studiojnë?

Sipas skemës, që sipërmarrjet të përfitojnë duhet të jenë të regjistruar prej jo më pak se 6 muajsh, të mos kenë detyrime të papaguara.