Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit me pretendimin se mazhoranca nuk ka dërguar raportin për mandatin e Olta Xhaçkës.
Deklarata e Bardhit u përgenjështrua nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla e cila tha raporti ndodhet në sistemin e Kuvendit dhe deputetëve iu është vënë në dispozicion.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi deklaroi se mazhoranca do të votojë projektvendimin për të dërguar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Replikat në Kuvend
Gazment Bardhi: Ne nuk kemi ende raportin e shumicës në këshillin e rregullores dhe mandatit, ndryshe nga praktika, nuk morët një vendim. Nuk e dimë kush është raporti juaj dhe se ccfarë do të votojnë deputetët e mazhorancës dhe opozitës. Ndërprisni seancën dhe na vini në dispozicion raportin, nuk mund të fshiheni gjatë se do të votoni pas disa orësh. Na vini në dispozicion raportin e shumicës. Caktuat një afat të mërkurën dhe e keni tejkaluar. Detyrimin për të zbatuar vendimin e GJK e kemi të përbashkët. Nëse nuk e keni gati raportin, ndërprisni seancën.
Lindita Nikolla: Raportin e keni në sistem. Rregullorja thotë duhen dy javë, por afati është respektuar dhe është hedhur në sistem.
Bledi Çuçi: Raportin ne e kemi përfunduar. Sa i takon vendimeve të GJK kjo është e ezauruar. Ne e kemi zbatuar vendimin e GJK që në momentin e parë kur kemi thënë shfuqizohen të dy vendimet nga Parlamenti lidhur me papajtueshmërinë e deputetes Xhaçka. Nuk është e vërtetë që nuk dolëm në konkluzion se ne do ta çojmë çështjen apo vendimmarrjen në Kuvend për të marrë një vendim për dërgimin në Kushtetuese sipas një procedure që ka rrjedhur deri tani. Sot do të votojmë një projektvendim për të dërguar ccështjen në Gjykatën Kushtetuese.