AFRIM IMAJ/ Varrimi do të bëhej të nesërmen, më 19 dhjetor. Do të na lejohej të dilnim nga shtëpia vetëm për varrim, sepse, qysh prej 24 orësh, gjendeshim në arrest shtëpie, ndonëse një masë e këtillë nuk e përmbante asnjë ligj ekzistues. 

Një ditë përpara erdhi shefi i zyrës së kuadrit të aparatit të Komitetit Qendror dhe takoi Fiqretin, duke i thënë se Mehmet Shehut nuk do t’i bëhej varrim ceremonial, sepse për këtë nuk i la vend vetes, ngaqë vetëvrasja është një akt i dënueshëm, kështu që do të ishte një varrim i zakonshëm familjar, për çka, sigurisht, ne duhej të lajmëronim e të thërrisnim të afërmit, po gjithsesi në një rreth pak a shumë të ngushtë, jo me bujë të madhe, pra, edhe nga Kryeministria, si qendra e tij e punës, do të vinin disa përfaqësues.

Fiqreti e pyeti, nëse për të shkuar në varrim, do të mund të përdorte veturën e saj, kurse shefi i Zyrës së Kuadrit të Aparatit të Komitetit Qendror i tha se jo vetëm veturën e saj që do ta kishte, por do t’i viheshin në dispozicion për varrimin edhe vetura të tjera. Ndërkohë, gjatë asaj dite, në shtëpinë tonë me grila të ulura detyrimisht sipas një urdhri, vazhdimisht hynin e dilnin hetues dhe ekspertë të ndryshëm, ndërsa oficerët e grupit shoqërues të Mehmet Shehut ishin caktuar të bënin roje brenda në shtëpi, për të mos lejuar asnjërin prej nesh që t’i afrohej dhomës së tij të fjetjes dhe studios ngjitur me të, pra, as Fiqretin që të hynte në dhomën e vet të fjetjes.

Në godinën përballë zhvilloheshin njëra pas tjetrës mbledhjet e thirrura me urgjencë të Byrosë Politike dhe të Plenumit të Komitetit Qendror. Të nesërmen paradite, nga të afërmit që kishim thirrur dhe që kishin ardhur te ne një ditë më parë, një pjesë e tyre nuk erdhën në varrim. Njërin prej vëllezërve të Mehmetit, i dyti, pas tij, llogaritar në pension, e kapi një krizë me dhembje koke të padurueshme, sëmundje nga e cila vuante prej vitesh, kështu që nuk ishte në gjendje të vinte, por qëndroi në shtëpinë tonë dhe në varrim do të vinte vetëm i biri.

Vëllai tjetër i Mehmetit, i treti, oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk erdhi, pasi ministri Kadri Hazbiu i tha se e këshillonte të mos vinte, ndërsa një ditë përpara e kishte këshilluar që të vinte te ne. Megjithatë, mosardhja në varrim nuk do ta shpëtonte dot, disa muaj më vonë, nga arrestimi dhe dënimi me 12 vjet burg si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në veprimtarinë për sabotim të Vijës së Partisë. Kurse i dyti, katër vjet më vonë, ngaqë nuk e duroi dot sjelljen e të tjerëve ndaj tij si vëllai i agjentit dhe i komplotistit Mehmet Shehu, vrau veten duke u hedhur nga një urë me një lartësi të madhe.

Vëllai më i vogël i Mehmetit, asokohe drejtor në ndërmarrje, ishte i vetmi prej tyre që mundi të vinte në varrim, por përkundrazi, ndryshe prej tyre, nuk pati ndonjë pasojë. Një njeri tjetër që, përveç neve të shtëpisë, erdhi në varrim ishte babai i Marjetës. Kështu që, gjithë-gjithë, bëheshim gjashtë veta, sepse nuk do të vinin as Fiqreti dhe as Bardha. Bardha, sigurisht, s’mund të vinte, se ishte për të lindur, madje po atë mëngjes e çuan në maternitet.

Kurse për nënën ishte Vladimiri që e bindi të mos vinte, duke qenë se ajo vazhdonte të ishte anëtare e Komitetit Qendror dhe ardhja e saj në varrimin e Mehmet Shehut, kushedi, mund të ndikonte që ta përjashtonin, ose, sidoqoftë, mund të jepte shkas për këtë. Por, megjithëqë nuk erdhi në varrim, nuk do të kalonte veçse një ditë, dhe atë do ta përjashtonin nga Komiteti Qendror dhe nga Partia njëherësh, si armike dhe si bashkëpunëtore e ngushtë në veprimtarinë armiqësore të të shoqit, kurse mbas dy javësh do ta arrestonin për tradhti të lartë.

Kështu që, gjithsesi, nuk do t’i kishte dalë më keq edhe sikur të kishte ardhur në varrimin e tij, ose çfarëdo tjetër që të bënte. Mbetëm, nga shtëpia jonë, vetëm Vladimiri, Marjeta dhe unë për ta përcjellë babanë në varr. U nisëm të tre, duke futur në mes Marjetën. Teksa ishim duke dalë nga oborri i shtëpisë, Marjeta u kthye për një çast dhe këputi një trëndafil të madh të kuq. Pastaj, nën vështrimin e vazhdueshëm të rojeve të Sigurimit, përshkuam më këmbë atë copë rrugë gjer në të dalë të Bllokut, një dalje anësore, ku, zakonisht, pothuajse nuk kishte lëvizje.

mehmet shehu arme dhome4

Aty priste makina e zezë e varrimeve, me arkivolin e Mehmet Shehut që sapo e kishim ngarkuar, dhe prapa saj një autobus i vjetër. Hipëm në të dhe u nisëm për në varreza. Autobusi, pothuaj i zbrazët, vetëm me gjashtë veta gjithsej, gjithë i shmangej sa të ishte e mundur rrugës kryesore, ndërsa xhamat e tij kërkëllinin nga era, llamarinat e asaj karkase të ronitur kërkëllinin gjithashtu, kur e kur, si kokrramë korbash. Ishte hera e dytë që shkoja në varreza brenda asaj jave, në fillim dhe në fund të saj.

Por kësaj here, do të na drejtonin për në skajin tjetër të varrezave, në parcelën më të largët. Sa më larg që shkonim, aq më të rralla ishin pllakat e bardha. Atje, diku midis varreve që s’kishin gjë tjetër përveçse nga një qemer të brishtë anepërqark dhe një emër me ndonjë shkronjë të shurar te kryet, na priste një gropë e hapur dhe dy varrmihës të ndragur me baltë.

Vazhdimisht të mbikëqyrur prej Sigurimit dhe ndërsa punonjësit e Kryeministrisë qëndronin në një largësi të pazakontë për këdo që përcjell një të vdekur. Po e varrosnim ashtu shpejt e shpejt babanë, kur, në këtë ndërkohë, filloi të vrujtone një rrëkajë shiu, krejt si herën tjetër teksa avitesha pranë varreve të gjyshërve. A thua se duke shkuar tek ata ia kisha ndjellë vetes këtë ardhje të dytë në varreza. Marjeta hodhi trëndafilin mbi dheun e qullur që mbuloi sakaq arkivolin.

Mehmet dhe Duro Shehu
Mehmet dhe Duro Shehu

Rrëfimi i vëllait: Kadri Hazbiu më urdhëroi mos të shkoja në varrimin e Mehmetit

Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, jeton prej vitesh në Kanada. Qysh nga koha kur është sistemuar aty, çdo 18 dhjetor pret vizita në nderim të vëllait, që ndërroi jetë në dhjetorin e largët të vitit 1981. Pavarësisht se atje larg janë të paktë në numër miqtë dhe shokët e tij, ai ndihet mirë që bashkë me ta risjellin detaje të ndryshme nga historia e Mehmetit dhe tragjedisë së tij. Duro Shehu shprehet se e ka peng të madh që nuk mori pjesë në varrimin e tij, i detyruar me urdhër të formës së prerë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu.

Ai nuk e harron për asnjë moment takimin me këtë të fundit, natën e mortit në zyrën e tij. Sa shkova në Ministri, kujton ai, u paraqita te zyra e tij. Mu desh të prisja rreth një orë në paradhomë për t’u takuar me Kadrinë. Pa u përshëndetur mirë, ai mu drejtua me një breshëri fjalësh që më tronditën dhe më shumë nga lajmi që kishim marrë disa orë më parë. “Dëgjo Duro, më tha, ke ardhur për problemin e Mehmetit. Ai vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”.

Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve. Me sa dukej ishte porositur hollë nga zyrtarët e lartë të Komitetit Qendror.

“Tani, -më tha, -lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik”.

Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë. Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: “Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!”. Në largim e sipër më tha që unë, si komunist dhe kuadër me përgjegjësi, nuk duhej të merrja pjesë në varrimin që do të bëhej të nesërmen.