Steve Moser ishte personi i cili e gjeti këtë imazh që ishte lënë “rastësisht” në kodin e aplikacionit Facebook View. Ky aplikacion është një aplikacion shoqërues që përdoret nga syzet smart Ray-Ban Stories që u lançuan në bashkëpunim me Facebook.
Moser tregoi se smartwatch-i kishte emrin e koduar “Milan” dhe siç mund ta shikoni nga fotografia, ai ka një notch ku gjendet një kamera e vogël. Vetë ora duket të jetë shumë e ngjashme me orat Fitbit Sense dhe Versa. Trupi i saj do të jetë i ndërtuar nga çeliku dhe në anët e saj do të gjendet një buton i madh.
The Verge ka raportuar më parë se smartqatch-i i Facebook do të përfshijë një kamera 1080p auto-focus në pjesën e pasme dhe një tjetër në pjesën e parme për video telefonata.
“Mbijetesa” e orës smart nga Facebook do të varet nga shumë faktorë të ndryshëm. Kjo orë jo vetëm që vjen me shumë vonesë në treg, mirëpo implementimi i kamerave në të duket një ide jo shumë e mirë. Samsung ka menduar prej disa vitesh përfshirjen e një kamere në orat e saj smart, por ka një arsye se përse ato nuk e kanë përfshirë ende. Duhet konsideruar këtu dhe fakti se historia na ka treguar që nuk duhet t’i besojmë shumë Facebook në lidhje me privatësinë.