Sot zhvillohet testimi i informatizuar për maturantët që duan të ndjekin studimet në Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë.

Janë 1813 maturantë, të cilët pasi kanë aplikuar në sistem dhe kanë zgjedhur degën mjekësi e përgjithshme do të duhet të testohen  në ambientet e qendrës së shërbimeve arsimore.

Pikët e grumbulluara nga mesatarja e maturës shtetërore , të cilën Fakulteti i Mjekësisë e kërkon mbi 8.5  përbëjnë 70%  të vlerësimit dhe pikët që do të marrin në testimin e nesërm përbëjnë 30 % të vlerësimit. Ky testim nis sot 14 gusht dhe zgjat deri më 23 gusht. Maturantët janë ndarë në grupe  dhe janë përcaktuar oraret e testimit brenda të njëjtës ditë.  Duke qenë se testimi zhvillohet online dhe  pyetjet janë me alternativa, maturantët do t’i marrin përgjigjet brenda ditës.

Nga 1813 maturantë që kanë aplikuar do të përzgjidhen rreth 400 studentë fitues.Ndërkohë që janë edhe kuotat për studentë nga diaspora dhe në total do të jenë 464 studentë që do të ndjekin vitin e parë  në mjekësi

Për herë të parë studentët që do të shpallen fitues për të ndjekur studimet në mjekësi do të lidhin kontratë që pas studimeve të ofrojnë shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre.

Ligji u miratua në seancën e fundit parlamentare por nuk është dekretuar ende nga presidenti i Republikës afati i fundit i të cilit është po sot, kur nis dhe dita e parë e testimit të informatizuar për maturantët.

Këtë vit u vu re një ulje e numrit të maturantëve që zgjodhën degën e mjekësisë me gati 40 % nga viti i kaluar, ku aplikuan 3 mijë maturantë, reduktim të cilin pedagogë të fakultetit e lidhën pikërisht me detyrimin ndaj mjekëve të rinj për të kontribuar për 5 vite në vendin e tyre.

Top Channel