Sot zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore, ai i Gjuhës së Huaj. Janë rreth 34 mijë maturantë në të gjithë vendin që do të testojnë njohuritë e tyre sot, ndërsa vetëm në Tiranë janë 3800 maturantë, të cilët do të zhvillojnë provimin në 34 pika testimi.
Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë maturantët do ti nënshtrohen një testi me pyetje të alternuara mes atyre me alternativa dhe zhvillim.
Testi do të jetë i një niveli mesatar, në total do të ketë 60 pikë.
Testi do të nisë në orën 10:00, por ndryshe nga një vit më parë, kur për shkak të pandemisë kohëzgjatja e provimit ishte 2 orë, këtë vit do të jetë 2:30 minuta, kërkesë kjo e protestës së maturantëve vitin e kaluar.
Rregullat e pandemisë do të jenë të njëjta, ku në klasa do të ruhet distanca dhe do të qëndrojnë aq persona sa të mund të zbatohet ky rregull, duhet të jenë të pajisur me maska dhe do të kryhet dezinfektimi i tyre në momentin që hyjnë në ambientet e shkollës.
Provimet e radhës janë ato të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në 7, në 11 ai i Matematikës dhe në 15 Lënda me Zgjedhje.