Edhe pak muaj, e ndajnë Arben Krajën, shefin e SPAK-ut nga lënia e karriges së drejtuesit të Strukturës së Posaçme për Hetimin e Korrupsionit dhe të Krimit të Organizuar në çdo nivel.

I emëruar në vitin 2019, Kraja në fundin e këtij viti mbyll mandatin e tij 3- vjeçar në krye të Akuzës më shpresëdhënëse në vend, ndërkohë që emra të tjerë kanë nisur të përfliten për uljen në pozicionin e tij. Janë një sërë prokurorësh, pjesë e kësaj strukture që do të vijojnë përpjekjet për të qenë drejtues të SPAK, të cilët do të bëjnë betejën e tyre profesionale mes njëritjetrit, duke kërkuar edhe mbështetjen në dy strukturat kryesore të akuzës në vend, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas të dhënave, për postin e fort dëshiruar garojnë prokurorë nga të dy sektorët, duke tentuar të kërkojnë mbështetje dhe krijojnë lobime për shkak të dosjeve që kanë shqyrtuar dhe që kanë ende në proces. Pavarësisht se për këtë periudhë thuajse tre vjeçare struktura e re e hetimit ka mundur të çojë pas hekurave zyrtarë të lartë, të sekuestrojë miliona euro dhe të godasë grupe të fuqishme kriminale, sërish ndaj tyre jo pak herë është bërë presion nga ana e qeverisë dhe janë lëshuar akuza nga ana e opozitës, duke i akuzuar herë si pjesë e politikës qeverisë e herë si të vendosur për të goditur vetëm njerëzit që kanë lidhje me pushtetin.

PROKURORËT GARUES

Përveç kreut aktual të SPAK-ut, Arben Krajës, të gjithë të tjerët që gjenden në atë strukturë hetimore mund të kërkojnë mbështetjen e duhur për të fituar pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Ndonëse kjo Prokurori, edhe pas gati tri vitesh ende nuk e ka plotësuar kuadrin e plotë prej 20 prokurorësh, bëhet me dije se do të jenë 17 pjesëtarë të këtij hetimi që do të garojnë.

Në fakt, më herët, dy prokurorë u kontestuan për mënyrën e zgjedhjes dhe gjykata Administrative i pezulloi, duke e lëshuar numrin në 15, por ishte një vendim i Gjykatës së Lartë që e rrëzoi Administrativen, vetëm pak ditë më parë duke i rikthyer në detyrë dy prokurorët e kallëzuar nga një kolege e tyre, e cila kishte garuar për të njëjtin pozicion në strukturën e hetimit të Korrupsionit. Referuar të dhënave bëhet me dije se prokurorët më të favorizuar do të jenë edhe prokurorët që kanë pasur vëmendje mediatike muajve të fundit, konkretisht hetuesit e dosjes së inceneratorëve, një prej skandaleve më të mëdha abuzive në vend dhe të hetimit të dosjes së vrasjeve, ku u bë e mundur të sigurohen dy dëshmitarë të drejtësisë, dëshmitë e të cilëve tronditen vendin.

Por, njëri nga prokurorët e dosjes së vrasësve me pagesë ka fituar mandatin e zëvendësshefit të SPAK-ut, i cili duket se është i përjashtuar për të garuar deri në qershorin e 2025- s, kohë kur edhe i përfundon mandati. Kështu një prej emrave më të lakuar së fundmi si prokurori kyç i dosjes së bujshme “Dumani” nuk garon, e për pasojë kolegët e tij do të vijojnë përpjekjet edhe për 5 muaj për të fituar pozicionin e kreut të SPAK-ut!