Një letërporosi, ku kërkohen informacione për Lulzim Berishën, Emiljano Shullazin, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullau dhe disa persona të tjerë, është dërguar në Maqedoninë e Veriut.
Dokumenti mban firmen e SPAK, dhe prokuroret tani duan të mësojnë për takimet që personat e vënë nën hetim dhe disa individë të dyshuar, kanë zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, nga 5 Janari 2005 deri më 12 Mars të po këtij viti.
Të dyshuarit hynë në territorin maqedonas nga Qafë-Thana dhe Bllata, shkruan Oranews. Mësohet se SPAK, ka marë kontakte dhe me Adriatik Colin, bashkëpunëtor ne hetime, i cili me dëshminë e tij në 2005, solli arrestimin personave kryesorë të Bandës së Durrësit.
Coli, ka treguar momentet e vrasjes së mikut të tij, Klodian Saliu. Sipas dëshmise vëzhgues i lëvizjeve në këtë atentat, ka qënë një njeri i Lulzim Berishës, Indrit Çeçi që tashmë është i arrestuari Indrit Rusi.
Çeçi, është përmendur dhe nga dëshmia që ka dhënë bashkëpuntori tjetër i prokurorisë, Luftar Reçi.
Hetimet janë përqëndruar tashmë për arrestimin e Lulzim Berishës, i konsideruar si kreu i bandës së Durrësit.
Ndërsa për ekstradimin e Plaurent Dervishaj nga Dubai, shpresat janë të vakta për shkak se nuk ka marrëveshje ekstradimi. Tashmë kur janë mbushur 6 muaj hetime, SPAK, ka shtyre dhe me 6 muaj të tjerë hetimin e dosjes. “…hetimi i deritanishëm tregon se jemi para një çështje shumë komplekse dhe dinamike, pasi ka të bëjë në rradhë të parë me faktin se po hetohet për disa ngjarja kriminale shumë të rëndë, të kryera kohë më parë.
Gjithashtu numri i të hetuarve, shkalla e lartë e organizimit si dhe fakti që kemi të bëjmë me një grup të mirëorganizuar kriminal, e bën hetimin shumë kompleks dhe lind nevoja e kryerjes së dhjetëra veprimeve hetimore…”- thotë në një dokument SPAK. Indrit Taulla, Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri, Luftar Reçi dhe Indrit Çeçi alias “Rusi” janë arrestuar si autorë të vrasjes së Vajdin Lamaj dhe Klodian Saliu. Ndërsa në kërkim vijon të jetë Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj.
Faxweb.al