Prokuroria e Posaçme ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për Etleda Çiften, anëtare e Konisionit të Pavarur të Kuakifikimit, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, në formën e përdorimit, si dhe “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike” në formën e “Deklarimit të rremë.

Ajo u shpall e pafajshme në të dyja hallkat e gjyqësorit, nga GJKKO si dhe në Apelin e Posaçëm. Kjo e fundit vendosi më 12 janar 2023 të lërë në fuqi vendimin e pafajësisë së shkallës së parë.

Sipas prokurorisë, ka rezultuar e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se e pandehura Etleda Çiftja, në deklaratën vitit 2017 ka kryer deklarim të rremë të pasurisë, konkretisht në lidhje me burimin e blerjes së apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sipërfaqe 1450 m2 dhe me sipërfaqe 3440 m2. mënyrën e fitimit të pronësisë së dy pasurive të fundit, si dhe në lidhje me qëllimin e marrjes së një kredie. Por si GJKKO dhe Apeli e rrezuan spak duke e shpallur të pafajshme komisioneren e vetingut, e cila nuk e ndërpreu asnjë ditë detyrën e saj megjithëse ishte e pandehur.