Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka nisur një hetim pasuror ndaj gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka, e cila në muajin Korrik 2022, u arrestua së bashku me ish-gjyqtarin Ilir Pashaj, dhe disa persona të tjerë në tentativë për të ulur dënimin një të arrestuari.

Tre muaj pas arrestimit të saj, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion ka nisur një tjetër hetim për gjyqtaren e Elbasanit Zamira VYshka.

“Ora News” mëson se hetimi për verifikimin e pasurisë shtrihet paralel me çështjen penale për akuzën e korrrupsionit, dosje për të cilën SPAK ka zgjatur me tre muaj të tjerë afatet hetimore.

Sipas këtij dokumenti të siguruar nga SPAK, grupi hetimor tashmë ka nisur për ekspertim kompjuterik telefonat celularë të sekuestruar gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit, për arrestimin e Zamira Vyshkës, Ilir Pashajt, Taulant Ramollarit, Andrea Tiranës dhe Xhulio Musait

SPAK, kërkon që laboratori i policisë shkencore, të rikuperojë rubrikat e mesazheve në imbox, “Whats App”, Signal, Telegram dhe çdo të dhënë tjetër në galerinë e fotove.

Por një ndër veprimet e tjera të SPAK është dhe mbledhja e një sërë dokumentash nga institucione të tjerë ligjzbatuese që lidhet me hetimin pasuror të personave të arrestuar dhe familjarëve të tyre.

Vyshka momentalisht ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi” ndërsa ish-gjyqtari Ilir Pashaj vijon të mbahet në masën e “arrestit në burg”.

Vyshka gëzon pasuri të mëdha në qytetin e Elbasanit, duke krijuar dyshime se qëndron në hije pas kompanisë së perdeve dhe dyshekëve të kompanisë “Flobest 2003” që ndodhet në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Kjo kompani administrohet nga Florenc Salibasha, i cili mësohet të jetë një person shumë i afërt i gjyqtares Zamira Vyshka.

Afërsia e tyre kuptohet edhe përmes përgjimeve të kryera nga prokuroria e posaçme SPAK, ku në një bisedë të zhvilluar në datën 6 prill 2022, Vyshka dhe Florenc Salibasha bisedojnë në lidhje me gjetjen e një banese në qytetin e Elbasanit me qëllim strehimin e punëtorëve të ndërtimit të cilin ishin pajtuar në ndërtimin e një vile dy katëshe nga gjyqtarja Vyshka në Elbasan.

Mes personave të tjerë që dalin në përgjimet e SPAK, është sërisht biznesmeni i kompanisë “Flobest 2003” Salibasha dhe Taulant Ramollari.

Ky i fundit tashmë është arrestuar nga SPAK. Mes këtyre dy personave flitet në mënyrë të koduar për një punë të mbaruar, por nuk qartësohet se për çfarë konkretisht.

Tashmë SPAK, po kryen veprimet e nevojshme mbi rolin e Salibashtës në aferën korruptive të Vyshkës për lirimin e një personi të arrestuar për vjedhje Xhuljok Musai.