Në një konferencë për shtyp lidhur me sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, zv.kryeministrja Belinda Balluku deklaroi se ka ardhur nga një grup i mirë strukturuar.
Balluku theksoi se po bëhet një hetim i thelluar. Zv.kryeministrja u shpreh se ky nuk është një moment për t’u përdorur politikisht, ndërsa shtoi se kanë marrë mësime.
“Në stafet e AKSHI janë vajza dhe djem të aftë. Bëhet fjalë për një atak dhe agresion të vërtetë. Edhe kur i kemi pyetur specialistët kanë thënë që ka qenë nga një grup i mirë strukturuar. Doja të bëja thirrje për të gjithë ata që kanë vendosur të komunikojnë publikisht, një hetim të thellë të të gjithë këtij sulmi.
Do të jetë një raport që do të bëhet transparent. Mungesa e gazetarëve në sallë vjen për shkak të kërkesës së Microsoft na ka bërë. Gjithçka që do të mund të bëhet trasparente pas këtij hetimi ne do ta bëjmë. Do të ishte mirë të jemi të kujdesshëm me gjithçka themi. Ky nuk është një moment për tu përdorur publikisht. Ka prekur shqiptarët dhe ka shqetësuar partnerët.
E rëndësishme është që vetëm në katër ditë kemi pasur rikthim në më shumë se 98% të shërbimeve. Nga momenti që kemi vendosur që shërbimet të jenë online edhe sensibiliteti është edhe më i madh. Po marrim një sërë masash dhe ky është një mësim edhe për AKSHI dhe strukturat e tjera për të na treguar pikat e dobëta. Ne po nxjerrim një mësim. Po bëjmë një skanim të të gjitha sistemeve dhe për të dalë më pas edhe në një rezultat”, deklaroi Balluku. /abcnews.al