Bashkimi Europian ka dënuar ashpër sulmin e së premtes ndaj kanalit të ujit Iber Lepenc në Zubin Potok, në veri të Kosovës. Ky sulm, i cilësuar si akt terrorist, është një akt sabotimi ndaj infrastrukturës kritike civile të Kosovës, thuhet në deklaratën e BE. Kanali furnizon me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe është një element jetik i sistemit energjetik të vendit.
Në një deklaratë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së shprehu mbështetjen për autoritetet kosovare dhe theksoi se BE po koordinon hapat e mëtejshëm me partnerët përkatës, përfshirë misionin e KFOR-it në terren. Gjithashtu, misioni civil i sundimit të ligjit i BE-së, EULEX, po ndihmon autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
Përfaqësuesi i Lartë shprehu solidaritet me qytetarët e prekur nga ky sulm dhe komunikoi personalisht këtë mbështetje me Kryeministrin Albin Kurti.
BE-ja ka kërkuar hetim të plotë për këtë veprim kriminal dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Deklarata apelon për bashkëpunim të plotë nga të gjithë aktorët për të zbardhur ngjarjen dhe thekson se BE-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet.