Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, siguroi dje se SHBA-ja qëndron krah Shqipërisë lidhur me ngjarjen e Gramshit.

Diplomatja amerikane apelon që autoritetet duhet të hetojnë plotësisht për të përcaktuar faktet dhe përgjegjësit sipas saj duhet të mbajnë përgjegjësi. Ambasadorja Kim njoftoi se ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të cilëve u shprehu mbështetjen e SHBA-së.

“Bisedova me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefin e Shtabit të FA, gjeneralin Kingji, të cilëve u urova shërim të shpejtë për 2 ushtarakët që u plagosën duke mbrojtur objektin ushtarak. Ne qëndrojmë me aleatin tonë, teksa autoritetet hetojnë plotësisht për të zbardhur faktet dhe që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e ambasadores amerikane.

Edhe Richard Grenell, ish-i dërguari i SHBA-së në Kosovë gjatë Presidencës së Donald Trump, reagoi pas ngjarjes së ditës së shtunë në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh. Përmes një reagimi në “Twitter’ Grenell shkruan:

“Mos e ngatërroni me ushtrinë shqiptare!”.

Ditën e shtunë, tre shtetas rusë tentuan të futen në uzinën e armëve në Gramsh, ku njëri prej tyre u përlesh me dy ushtarë roje, ku si pasojë këta të fundit mbetën të plagosur. Sipas informacioneve zyrtare, 2 rusë dhe 1 ukrainas sulmuan dy ushtarët roje në uzinën ushtarake në Gramsh, duke ju hedhur spraj neuroparalizues. Ushtarët shqiptarë ndodheshin deri dje në spital në gjendje të stabilizuar shëndetësore, ndërsa 3 shtetasit e huaj që pretendojnë se janë turistë janë tashmë të arrestuar. Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipit “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas, ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizonit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta.