Shpresat e Shqipërisë do të zhvillojnë dy sfida kundër Sllovenisë dhe kundër Kosovës.

Për këto dy ndeshje trajneri i Shpresave, Alban Bushi, ka dalë në konferencë për shtyp duke deklaruar:

“Muçi do të jetë në listën tonë, Ne nuk kemi sulmues alternativ, pasi Tuci, Bullari, Gjata nuk janë prej fillimi. Ardian Bajrami do jetë një element i rëndësishëm jo vetëm për U-21 por edhe për kombëtaren A.

Kemi shumë lojtarë datëlindje 2002 dhe janë edhe për të ardhmen. Nuk është se kemi pasur probleme, pasi jemi paraqitur mirë kohët e fundit. Lojtarët na kanë ndjekur, kanë sakrifikuar dhe kanë bërë maksimumin.

Jemi Shqipëria dhe duhet të japim 200%. Synojmë vendin e dytë, por ekipet e tjera në letër janë më të forta.

Fillimi i mirë është gjysma e punës. Suksesi më i madh do jetë që të kalojnë 4-5 lojtarë, që e kanë kualitetin të bëhen pjesë e kombëtares së madhe.

Ua kemi dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve të kampionatit. Ata që luajnë janë marrë, si lojtarët e Kukësit Tafa e Peposhi. Kishim edhe Prengën e Laçit, që ka marrë pak minuta kohët e fundit. Jemi munduar t’i alternojmë, të marrim nga kampionati ynë dhe nga jashtë.

“Çdo ndeshje është e rëndësishme për ne, për lojtarët. Kur vesh fanellën e Shqipërisë është e rëndësishme, edhe të stërvitesh e jo më të luash.

Ne i kemi sytë te ndeshja me Slloveninë. Nëse fitojmë kemi shumë shanse për vendin e dytë. Në mars Shqipëria është pushim dhe mund të marrim edhe lojtarë si Kumbulla e Broja.

Jam mirë te Shqipëria U21 dhe ëndrra ime është që të kualifikohem në Europian me këtë ekip. Kemi kontaktuar lojtarë të Kosovës, para se ata të bënin zgjedhjen e tyre. Së bashku me Kosovën do të kishim një kombëtare më të fortë. I kemi mundur vjet dy herë dhe do mundohemi ta bëjmë sërish. Gjithsesi ndeshja e parë është më e rëndësishme për ne. Me Kosovën kemi konkurrencë sikur me ekipet e tjera. Nuk është diçka më ndryshe si të tjerat, si një derbi”.